
15 Korrik 2026
Shkolla Verore - Të rinjtë në qendër të promovimit të Divjakës!
Në kuadër të projektit “Fuqizimi Rinor dhe Promovimi i Trashëgimisë Kulturore në Divjakë – Divjaka Jonë!”, zbatuar nga IRCA, me mbështetjen e Bashkisë Divjakë, kemi vijuar serinë e aktiviteteve informuese dhe ndërgjegjësuese pranë shkollës verore të organizuara nga Bashkia Divjakë.
Gjatë takimit patëm mundësinë të diskutojmë me nxënësit mbi aplikacionin “Divjaka Jonë”, që synon të sjellë më pranë qytetarëve dhe vizitorëve pasuritë natyrore, kulturore dhe turistike të zonës. Të rinjtë u njohën me mënyrën se si aplikacioni mund të përdoret për të zbuluar dhe promovuar atraksionet, traditat dhe identitetin lokal të Divjakës. Gjithashtu, nxënësit u informuan mbi aktivitetet e projektit dhe mbi mundësitë konkrete për t’u angazhuar në promovimin e turizmit të qëndrueshëm, mbrojtjen e mjedisit dhe valorizimin e trashëgimisë kulturore lokale. Diskutimet krijuan hapësirë që të rinjtë të ndanin idetë dhe këndvështrimet e tyre mbi mënyrat se si mund të kontribuojnë për ta bërë Divjakën më të njohur, më tërheqëse dhe më të qëndrueshme.
🤝 Ky aktivitet realizohet si pjesë e Programit Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor 3 – ReLOaD3. Programi Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor 3 – ReLOaD3, financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).









